Në ekranin e Kinemasë Verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) u shfaq për herë të parë në cilësinë maksimale të figurës një prej filmave ikonikë të kinematografisë shqiptare, “Partizani i vogël Velo”.
Filmi që rrëfen përpjekjet e shqiptarëve për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashist u ndoq nga dhjetëra studentë, nxënës, veteranë dhe përfaqësues të Shoqatës së Dëshmorëve të Atdheut.
Në këtë aktivitet, mori pjesë edhe një prej aktorëve protagonistë të filmit, Eduart Çala, i cili në fjalën e tij, e vlerësoi këtë nismë si të rëndësishme në fushën e kulturës vendase.
Të pranishëm gjithashtu ishin dhe Drejtori i Përgjithshëm të Arkivave, Ardit Bido dhe Drejtoresha së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, të cilët u shprehën se “Partizani i vogël Velo” i regjisores Xhanfise Keko është një nga filmat e përzgjedhur për t’u shfaqur në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit.
Në vazhdën e kësaj nisme, në mesin e filmave që do të shfaqen deri në mbyllje të këtij sezoni në muajin nëntor, gjenden titujt: “Mëngjese lufte”, “Yjet e netëve të gjata”, “Njeriu me top”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Malet me blerim mbuluar”, “I teti në bronz”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”.