Partia Mundësia ka denoncuar një rast tjetër të tentativës për manipulimin e votave në Tiranë. Në një njoftim zyrtar, kjo forcë politike bëri me dije se votat e kandidatëve të saj në Komisionin Zonal të Administratës Zgjedhore (KZAZ) numër 40 po tentohen të shpallen të pavlefshme.
Sipas “Mundësia”, arsyeja që po përdoret për shpalljen e pavlefshmërisë është se vulat mbi fletët e votimit janë të zbehta, edhe pse ato janë të dyfishta, nga komisioni i votimit. Partia “Mundësia” e ka konsideruar këtë si një tentativë për të manipuluar rezultatin zgjedhor.
Në lidhje me këtë rast, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është informuar, ndërkohë që kreu i partisë, Agron Shehaj, po drejtohet drejt KZAZ-së për të ndjekur situatën nga afër, njofton Mundësia.
“Në KZAZ 40, në Shkollën Sami Frashëri, 6 fletë votimi të Partisë Mundësia po tentohen të shpallen të pavlefshme. Edhe pse janë me dy vulat e komisionit të votimit, arsyeja banale është se fletët kanë ngjyrë të zbehtë. Mbi këtë rast sapo u lajmëruar z. Celibashi, ndërkohë z. Shehaj po niset drejt KZAZ-së”, thuhet në njoftimin e Partisë “Mundësia”.