“Ata që nuk kanë plotësuar kërkesat për sigurinë teknike, do të ndëshkohen rreptësisht”, kështu paralajmëroi nga terreni Afrim Qëndro, kryeinspektor i IKMT-së.
Duke marrë parasysh numrin e lartë të vdekjeve në kantieret e ndërtimit, sidomos vitet e fundit, ai tha se është përgatitur një plan pune i detajuar për të garantuar sigurinë në punë.
Pas verifikimit, në varësi të madhësisë së kantierit, do t’u lihet afat një javë ose deri në 10 ditë për të korrigjuar defektet. Më tej, siç njoftoi Qëndro, do të realizohet një kontroll i dytë, i cili për shkelësit e ligjit do të ketë pasoja.
Ndërtimi i banesave sociale nga bizneset private apo objektet social-kulturore të buxhetuara nga shteti, janë dy llojet e ndërtimeve që do të monitorohen.
“Të gjitha do të futen në filtrin e këtij kontrolli”, tha drejtori i ri i IKMT-së.

Numri i aksidenteve apo raste të devijimit të lejeve nga ana e ndërtuesve?
“Ka të dhëna dhe objekte që në dijeninë time nuk plotësojnë kushtet, kjo ka qenë arsyeja pse hapi i parë në detyrën time të jetë ky, sepse harmonia në komunitet është shumë e domosdoshme. Nuk mund të bllokohet trotuari, fëmijët, nënat, pensionistët të kalojnë ashtu dhe të rrezikojnë jetën. Do jem shumë korrekt në këtë proces”, u përgjigj Qëndro.
Pavarësisht masave që janë marrë më herët, me urdhër të kryeministrit Edi Rama, a ka ende hapësira të zaptuara në kryeqytet?
“Në këto pak ditë pune që kanë nisur, inspektoriati vendor i bashkisë Tiranë ka punuar mirë, Akoma nuk kemi me ligj atë raportin për hapësirën publike dhe asaj që do kenë bizneset, është në proces dhe besoj do përfundojë shpejt”, theksoi kryeinspektori.
Gërryerje në lumin Shkumbin, a është tejkaluar leja dhe sa ka ndikuar te shembja e rrugës tek Arrat e Gurrës?

“Duhen dëgjuar specialistët për atë që ka ndodhur. IKMT kontrollon lejet që jepen për shfrytëzimin e inerteve në lumë dhe topografinë ku kryhet ky proces. Është verifikuar se sasia e inerteve dhe gjithë procesi tjetër, nuk është IKMT-ja institucioni përgjegjës. Por për rastin konkret, pika e inerteve në shfrytëzim është me leje dhe në pozicionin e caktuar nga leja e institucionit përkatës”, tha Qëndro.
Ndërtimet pa leje
“Ndërtuesit kanë marrë lejet e ndërtimit për aq kate sa kanë kërkuar dhe duhet ta zhvillojnë dhe nga pikëpamja volumetrike, por edhe kërkesat teknike, qoftë ato hidrike, elektrike apo pikëmpamje të furnizimit me ujë të kanaleve, duhet të zbatojnë saktësisht projektet që kanë paraqitur.
Është e papranueshme që një ndërtues të ketë shansin të ndërtojë kate pa leje. Nuk do ketë as shkelje syri, do jem shumë i rreptë. Nëse dikush e shkel këtë, ligji na autorizon ta prishim dhe ta sekuestrojmë! Nuk do lejohet, jam shumë i prerë”, paralajmëroi po ashtu Qëndro.



