Për Papa Leonin e XIV, termi familje duhet të mbartë kuptimin tradicional ashtu siç është njohur deri më sot.
Qëndrimin e bëri të ditur gjatë meshës së të dielës në sheshin Shën Pjetër në Vatikan, që këtë herë ishte e posaçme pasi i kushtohej familjes në këtë vit jubilar për Kishën Katolike.
“Martesa nuk është ideal, por kanun i dashurisë së vërtetë mes burrit dhe gruas, dashuri e plotë, besnike dhe e frytshme. Ndërsa ju shndërron në një mish të vetëm, kjo dashuri ju jep aftësinë të krijoni jetë, sipas shëmbëlltyrës së Zotit”, tha Papa Leoni XIV.
Shprehu kundërshti edhe për abortin.
“Ndonjëherë, njerëzimi tradhëtohet, për shembull kur i jepet liria për të mos krijuar jetë, për për ta marrë atë. Për të mos ndihmuar, por për të ofenduar”, shtoi Ati i Shenjtë.
Pararendësi i tij Papa Françesku refuzoi po ashtu të njohë martesën e çifteve me partnerë të së njejtës gjini, por autorizoi priftërinjtë t’i bekonin këto çifte me një dokument të posaçëm. Në fillim të papait të tij Papa Françesku iu përgjigj një pyetjeje për pranimin e homoseksualitetit me frazën “Kush jam unë për të gjykuar”.