Papa Leo XIV: Civilët në Gaza po dërrmohen nga uria, po ekspozohen ndaj vdekjes

Papa Leo XIV shprehu të dielën shqetësimin e tij të thellë për përkeqësimin e krizës humanitare në Rripin e Gazës, duke paralajmëruar se popullsia civile po “dërrmohen nga uria”.

Gjatë lutjes së së dielës Angelus, Papa përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim të menjëhershëm, duke kërkuar gjithashtu lirimin e pengjeve dhe respektim të plotë të ligjit ndërkombëtar humanitar. Ai theksoi se çdo njeri “ka një dinjitet të brendshëm të dhuruar nga vetë Zoti”.

“Po e ndjek me shqetësim të thellë situatën jashtëzakonisht të rëndë humanitare në Gaza, ku popullsia civile po dërrmohet nga uria dhe vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj dhunës dhe vdekjes”, theksoi Papa, sipas raportimit të Vatican News.

Komentet e tij vijnë në një kohë kur reagimi ndërkombëtar është intensifikuar për shkak të kushteve katastrofike në enklavën e rrethuar, ku organizatat humanitare raportojnë zhvendosje masive, mungesë ushqimi dhe rritje të vdekshmërisë foshnjore, si pasojë e kufizimeve disa mujore të vendosura nga Izraeli për furnizimet me ushqim, ilaçe dhe ndihmë humanitare.

Papa u bëri thirrje udhëheqësve politikë dhe të gjitha palëve në konflikt që të njohin dhe respektojnë këtë dinjitet njerëzor dhe “të ndërpresin të gjitha veprimet që e shkelin atë”.

Që nga 7 tetori 2023, ushtria izraelite ka ndërmarrë një ofensivë të ashpër në Gaza, duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim. Deri më tani, ofensiva ka rezultuar në vrasjen e afro 60,000 palestinezëve, ndërkohë që bombardimet masive kanë shkatërruar pothuajse të gjithë infrastrukturën dhe kanë shkaktuar mungesë ekstreme të ushqimit dhe ndihmave jetike.

Të Fundit