Veç mbylljes totale që reduktoi ndjeshëm të ardhurat në pikën kufitare të Portit të Vlorës edhe sezoni turistik rezultoi jo fort frytdhënës për këtë institucion.
Në kushtet ku 90% e të ardhurave gjenerohen nga turizmi, një zgjatje e pandemisë përtej 2020-ës apo një mbyllje e dytë e kufijve do të rrezikonte shkurtime të vendeve të punës apo reduktim të pagave, pasi porti i Vlorës është një institucion me vetëfinancim.
Sipas shefit të sektorit të përpunimit, Festim Skëndaj, në bilancin e të ardhurave vetëm zëri i përpunimit të mallrave ka njohur një rritje gjatë muajit shtator.
“Të ardhurat për muajin shtator ne i kishin 70%, është gjë e mirë me situatën ku jemi, përderisa nuk lejohet lëvizja e lirë”, u shpreh Skëndaj.
Dhjetori nuk parashikohet të njohë rritje në kalimin e pikës kufitare nga pasagjerë dhe kalimi i festave të fundvitit në familje për emigrantët nuk pritet të jetë një zgjedhje. Nga ana tjetër, aktualisht nëpërmjet kësaj pike kufitare lejohet kalimi vetëm për rezidentët, në Itali apo vende të tjera të Bashkimit Europian.
“Nga situata që u diskutua në të gjithë botën nuk presim të ketë një fluks më të madh. Masat janë më të marra edhe për këtë situatë. Nuk do këtë masa të tjera, vetëm nëse do kemi një mbyllje totale”, tha ai më tej.
Në gusht, portit të Vlorës iu akordua shuma prej 50 mln lekësh të reja si formë ndihmë nga ana e Portit të Durrësit për të përballuar vijimin e kontratave të punës për punonjësit.