Pandemia goditi tregtarët e vegjël, falimentojnë mbi 9000 biznese

Mbi 9 mijë sipërmarrje biznesi nuk arritën të mbijetojnë në treg në vitin 2020 për shkak të pandemisë Covid-19. Lista e tatimeve tregon se kriza goditi biznesin e vogël, atë turistik, por edhe 4 tatimpagues të mëdhenj.

Pas muajit mars 2020, mbyllja e vendit për shkak të pandemisë Covid-19 vendosi në vështirësi mijëra qytetarë e biznese, puna dhe aktiviteti i të cilëve u pezulluan. Masat shtrënguese për parandalimin e përhapjes së virusit, krijuan kosto të mëdha në zinxhirin ekonomik.

Me mbylljen e vitit, tashmë ka edhe një pasqyrë më të qartë të sipërmarrjeve që ulën qepenin. 9138 është numri i atyre që kaluan në status pasiv, në të gjithë vendin, nga të cilët 7370 në 10-mujorin mars-dhjetor.

Mungesa e xhiros, paketat që ofroi qeveria dhe qiratë, e thyen rezistencën e këtyre aktiviteteve, shumica e të cilave të vogla dhe të mesme. Sa i përket rajoneve, Tirana kryeson me mbi 3500 subjekte, të tilla si bare, butikë apo mini-markete, por një valë e madhe mbylljesh vihen re edhe në zonat bregdetare, si Durrësi, Vlora, e Saranda.

Mungesa e turistëve në këto rajone, pezulloi një pjesë të madhe e agjencive turistike, guidave e bar-restoranteve. Po ashtu, në listë janë edhe 4 tatimpagues të mëdhenj, të cilët kanë mbyllur licencën.

Ndërkohë, raporte dhe sondazhe të ndryshme, të tilla si ai i OECD referojnë se në periudha të caktuara, gati gjysma e bizneseve ndërprenëë plotësisht punën, ndërsa mbi 80 për qind e tyre kanë raportuar rënie të konsiderueshme te të ardhurave. Por, viti i pandemisë solli edhe elementë pozitivë, ku lulëzoi biznesi online, mbi 20% e firmave raportojnë transferim dhe rritje të xhiros me blerje nga rrjeti.

Të Fundit