Kryeministri Edi Rama mblodhi të enjten të gjithë kryebashkiakët e Shqipërisë për të diskutuar mbi Paketën e Maleve, një ligj që synon nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në zonat malore të vendit.
Rama nuk i kurseu kritikat ndaj kryetarëve të bashkive, të cilët siç tha janë shumë vonë me dorëzimin e hartave me zonat prioritare ku mund të aplikohet paketa, ndërsa theksoi se 500 personat e parë që do të shfaqin interes për të investuar nuk do paguajnë asnjë taksë për 10 vjet.
“Jo vetëm duhen bërë urgjent hartat, por duhet ngritur një task force me 3 persona në bashki që t’u rrinë gati personave që shprehin interesin. 500 të parët që do marrin kontratën, 10 vjet nuk do paguajnë asnjë lloj takse por duhet t’i ndihmoni të jenë tek 500 të parët. Ministri i pushtetit vendor po përgatit draftin ndërsa ministrja po përgatit ato dy kritere që do vlejnë: e para sa do kontribuosh në rritjen ekonomike të vendit, nuk mund të jenë të gjithë konsumatorë në rritjen ekonomike por edhe kontributorë. nuk do vazhdohet vetëm me taksat e qytetarëve por krijimi i të ardhurave të tjera dhe bashkitë duhet të jenë pararojë për të krijuar të ardhur në ekonomike dhe ky është një nga instrumentet, rritje në nivel vendor dhe të gjitha ndikojnë në nivel kombëtar”, tha Rama.