Pagat në “What’sApp”, Ministria e Financave: S’ka asnjë eksport të databases

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka reaguar pas publikimit të lajmit se një databazë me të dhënat e qytetarëve të punësuar në sektorin privat dhe publik, shoqëruar me kartat e tyre të identitetit, pozicionin e punës dhe pagës, po shpërndahet në Whatsapp.

Në një njoftim për mediat, Ministria e Financave, bën me dije se analizat paraprake tregojnë se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021.

Më tej, Ministria e Financave dhe Ekonomisë thotë se po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë. Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim. Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme. Po ashtu databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën “Emri i Plotë” siç lexohet në këtë dokument ilegal. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të çertifikimit me standartet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme. Ndërkohë ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Lajmi u publikua dje nga Opiniona.al por nuk u publikua lista e plotë e të dhënave me qëllim ruajtjen e privatësisë së personave në fjalë.

Të Fundit