Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se po bëhen përgatitjet e fundit për hapjen e Urës së Ibrit.
“Jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë e urës, teksa presim raportin final dhe deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes e liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës si në BE”, ka deklaruar Kurti.
Në mbledhjen e qeverisë, Kurti dha lajmin për qytetarët se do rritet paga minimale në 350 euro.
Paga e re minimale do t’i prekë rreth 150.000 të punësuar, të cilët punojnë me paga më të ulëta se 350 euro, kryesisht në sektorin privat, sipas kryeministrit dhe ministrit të Financave të Kosovës, Hekuran Murati.
“Ky veprim është veçse edhe një hap tjetër në kuadër të masave të shumta që kemi ndërmarrë si Qeveri për ta përmirësuar mirëqenien e qytetarëve”, tha Kurti.
Murati tha se vendimi për rritjen e pagës minimale do të hyjë në fuqi më 1 tetor.
“Do të sigurohemi që ligji dhe vendimi për rritjen e pagës minimale do të zbatohet”, deklaroi Murati.
Vendimi i ri për pagën minimale i jep fund edhe diskriminimit të punëtorëve në bazë të moshës.
Deri në fuqizimin e Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.
Kosova, deri më tani e ka pasur pagën minimale më të ulët në Evropë, 170 euro, ndërsa Luksemburgu më të lartën, 2.571 euro. Me ngritjen në 350 euro, Kosova lë pas vetes Federatën e Bosnje e Hercegovinës me pagën më të ulët minimale në Evropë me rreth 318 euro.