Në Vorë, Atika dhe Spiro Kranja tregojnë, se prej qershorit, nuk kanë marrë pagesën e raporteve mjekësore, megjithëse Spiro, i operuar në kokë pas një diagnoze tumoriale, ka dorëzuar të gjitha dokumentet. Prej dy vitesh ai punon në Bashkinë Vorë, në sektorin e pastrim-gjelbërimit, por në fakt figuron punonjës i kompanisë private “Alko Impex”, të kontraktuar nga bashkia. Komunikimi i punëtorëve me institucionin është bërë përmes një punonjëseje të bashkisë, e cila fillimisht u tregua e gatshme të ndërhynte.Gjatë verifikimit, Sigurimet Shoqërore të Tiranës sqaruan, se kërkesa e parë për pagesën e raportit, ishte bërë me dokumente pa vulë elektronike, ç’ka e ka bllokuar procedurën. Mjekja e familjes së Vorës, Shkëndije Kuçi, refuzoi të jepte shpjegime për këtë mungesë, por institucionet konfirmuan, se pagesa kalon brenda pak ditësh, një lajm i mirë ky për familjen Kranja, që prej muajsh përballet me sëmundjen dhe zvarritjen administrative.



