Kryeministri Rama ka reaguar pas operacionit të SPAK që çoi në pranga 10 persona, mes tyre gjyqtaren e Krujës Enkeleda Hoxha.
Në një postim në “Twitter”, Rama shkruan se është një lajm i shumëpritur për të gjithë ne, e për të gjithë atë shumicë dërrmuese shqiptarësh, që na kanë mbështetur me zjarr për Reformën në Drejtësi.
“Prangosja e gjykatëses famëkeqe të Krujës dhe rrjetit të saj kriminal nga institucionet e reja të drejtësisë, është një lajm i shumëpritur për të gjithë ne, e për të gjithë atë shumicë dërrmuese shqiptarësh, që na kanë mbështetur me zjarr për Reformën në Drejtësi!
Ky lajm duhet të inkurajojë këdo që pret drejtësi për krimet e gjykatësve e prokurorëve të korruptuar dhe uroj që çuarja e këtij llumi para drejtësisë të vazhdojë! Kush s’ka kaluar Vetingun duhet të përgjigjet, kush vazhdon të abuzojë meqë s’kalon dot Vetingun, duhet të ndalohet!”, shkruan Rama.