Operacion kundër informalitetit: Bllokohen 63 tonë produkte bujqësore dhe blegtorale pa faturë

Autoritetet tatimore dhe bujqësore kanë intensifikuar aksionin kombëtar për formalizimin e tregut dhe forcimin e sigurisë ushqimore, i cili po zhvillohet në qarqet Tiranë, Durrës, Fier, Lezhë dhe Korçë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, vetëm gjatë 9 ditëve të para të operacionit janë kryer 151 kontrolle dhe janë bllokuar 63 tonë produkte bujqësore dhe blegtorale, të cilat po qarkullonin pa faturë fiskale.

Tatimet u bëjnë thirrje subjekteve të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe të pajisin çdo transaksion me faturë në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor.

Ky aksion është rezultat i bashkëpunimit ndërinstitucional mes Ministrisë së Financës, Ministrisë së Bujqësisë dhe strukturave vartëse, me qëllim rritjen e transparencës, gjurmueshmërisë dhe identifikimin e çdo prodhuesi me NIPT në tregun e brendshëm.

Qëllimi final është garantimi i sigurisë ushqimore dhe përfshirja e fermerëve në ekonominë formale.

Të Fundit