OKB: Izraeli fajtor për ‘shfarosje’ në sulmet ndaj shkollave dhe xhamive në Gaza

Izraeli ka kryer krimin kundër njerëzimit dhe “shfarosje” duke sulmuar civilët palestinezë që strehoheshin në shkolla dhe vende fetare në Gaza, thuhet në një raport të komisionit të pavarur të Kombeve të Bashkuara.

Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit i OKB-së mbi Territorin e Pushtuar Palestinez, përfshirë Jerusalemin Lindor dhe Izraelin, e bëri akuzën në një raport të publikuar të martën.

Raporti tha gjithashtu se forcat izraelite kanë kryer krime lufte, “duke përfshirë drejtimin e sulmeve kundër civilëve dhe vrasjen me dashje, në sulmet e tyre ndaj objekteve arsimore që shkaktuan viktima civile”.

“Po shohim gjithnjë e më shumë indikacione se Izraeli po kryen një fushatë të koordinuar për të zhdukur jetën palestineze në Gaza”, tha në një deklaratë kryetarja e komisionit, Navi Pillay, ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut .

Sipas raportit Izraeli ka dëmtuar ose shkatërruar më shumë se 90 përqind të ndërtesave shkollore dhe universitare në Gaza dhe ka shkatërruar më shumë se gjysmën e të gjitha vendeve fetare dhe kulturore në territor.

“Ndërsa shkatërrimi i pronës kulturore, përfshirë objektet arsimore, nuk ishte në vetvete një akt gjenocidal, provat e një sjelljeje të tillë mund të nënkuptojnë megjithatë qëllimin gjenocidal për të shkatërruar një grup të mbrojtur”, thuhet në raport.

“Synimi i Izraelit ndaj jetës arsimore, kulturore dhe fetare të popullit palestinez do të dëmtojë brezat e tanishëm dhe brezat që do të vijnë, duke penguar të drejtën e tyre për vetëvendosje”, vazhdoi Pillay.

Të Fundit