OBSH paralajmëron: Vaksina anti-COVID nuk do të thotë zero COVID

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar njerëzit që të mos gëzohen për përhapjen e COVID-19 tani që ka dalë vaksina, gjithçka vazhdon të ngelet në tension.

“Përparimi me vaksinat na jep të gjithëve një nxitje dhe tashmë mund të fillojmë të shohim dritën në fund të tunelit,” – tha të premten Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhaniom Ghebreyesus.

Sidoqoftë, Organizata Botërore e Shëndetësisë është e shqetësuar se ekziston një perceptim në rritje se pandemia ka mbaruar.

E vërteta është se, aktualisht, shumë vende janë dëshmitar të përhapjes shumë të madhe të virusit, i cili po bën presion të madh në spitale, njësi të kujdesit intensiv dhe punonjës shëndetësor.

Disa vende në Europë kanë arritur të zvogëlojnë përhapjen e virusit duke vendosur masa të rrepta duke filluar që nga kufizimi i njerëzve për t’u grumbulluar.

Teksa këto masa fillojnë të hiqen, është e rëndësishme që njerëzit të vazhdojnë të ndjekin protokollet e sigurisë në mënyrë që rastet të mos rikthehen.

Shefi i OBSH-së përshëndeti gjithashtu njoftimin e bërë nga presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe ish-presidentët, Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton të cilët thanë se ishin të gatshëm të vaksinoheshin publikisht për të inkurajuar bashkëqytetarët të bënin të njëjtën gjë.

“Vaksinat nuk nënkuptojnë COVID zero,” – tha Mike Ryan, i cili është përgjegjës për situatat emergjente në agjencinë e Kombeve të Bashkuara.

Sipas tij vaksinat dhe vaksinimi masiv do të shtojë një mjet kryesor dhe të fuqishëm në paketën e veglave që kemi për të luftuar virusin por në vetvete ato nuk do të bëjnë punë.

Kjo është arsyeja se pse vaksinat duhet të shtohen si strategji ekzistuese të shëndetit publik.

Pandemia e coronavirus-it, e cila ka infektuar më shumë se 65 milion njerëz dhe ka vrarë më shumë se 1.5 milion njerëz në të gjithë botën, ka filluar të përshpejtojë përhapjen në të gjithë botën, përsëri.

Maria Van Kerkhove, personi i ngarkuar me menaxhimin e pandemisë në OBSH, i bëri thirrje popullatës që “me të vërtetë të mendojnë për atë që po bëjnë” gjatë sezonit të festave në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e COVID-19.

“Vendimet që marrim tani nënkuptojnë jetë ose vdekje për ne, për familjen tonë,” – shtoi Van Kerkhove.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, gjithashtu njoftoi këtë të premte se koalicioni kundër coronavirus-it i nisur nga OBSH dhe pagëzuar COVAX kishte marrë 700 milion doza të tre llojeve të vaksinave.

“Vitin e ardhshëm ne kemi ndërmend të përdorim fonde shtesë për të siguruar që të paktën dy miliard doza vaksinash të sigurta dhe efektive të jenë në dispozicion në gjithë botën,” – sqaroi ai.

 

Të Fundit