Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi se përhapja e rasteve me linë e majmunëve në më shumë se 50 vende të botës, duhet monitoruar, por se situata nuk ka arritur deri në pikë sa të shpallet një emergjencë shëndetësore globale.
Në një deklaratë, komiteti i urgjencës i OBSH-së bëri me dije se shumë aspekte të përhapjes së lisë së majmunëve ishin “të pazakonta” dhe shtoi se sëmundja, e cila është endemike në disa vende afrikane, është lënë ‘pas dore’ për vite me radhë.
“Ndërsa disa anëtarë shprehën pikëpamje të ndryshme, komiteti vendosi me konsensus të këshillojë Drejtorin e Përgjithshëm të OBSH-së, se në këtë fazë e përhapjes nuk përbën një emergjencë globale shëndetësore”, tha OBSH në një deklaratë.
Megjithatë, OBSH-ja vuri se kërkohet një përgjigje intensive në kontrollin e përhapjes së kësaj sëmundjeje.
Së fundmi, Bashkimi Evropian ka blerë 110 mijë doza të vaksinës kundër lisë së majmunëve.