Dy të rinj denoncojnë skualifikimin nga konkursi i Akademisë së Policisë, duke e cilësuar vendimin të padrejtë dhe të mbështetur në informacione të pavërteta mbi familjarët e tyre.Konkursi u zhvillua nga data 1 deri më 21 shtator për fazën e aplikimeve në Drejtoritë Vendore të Policisë, ndërsa provimet nisën më 9 tetor. Lista përfundimtare e fituesve dhe humbësve u shpall më 26 nëntor në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit.Luzmila Marku, nga Mirdita, deklaron, se ka kaluar të gjitha fazat e konkurrimit, por është skualifikuar për shkak se, sipas Drejtorisë së Policisë Lezhë, vëllai i saj rezulton me precedent penal. Marku e mohon këtë pretendim dhe thotë, se disponon dokumentacion zyrtar, që vërteton, se vëllai i saj nuk është i dënuar.Një tjetër rast vjen nga Vlora. Drilon Runaj shprehet, se fillimisht është shpallur fitues, por më pas është skualifikuar për “mosplotësim të kritereve ligjore”. Pas ankimimit, i është komunikuar, se babai dhe një nga vëllezërit e tij rezultonin të dënuar, gjë që Runaj e mohon, duke deklaruar, se ka vërtetime zyrtare, që faktojnë të kundërtën.Lidhur me këto raste, drejtori i Akademisë së Sigurisë, Ilir Mandro, deklaron se Akademia nuk ka kompetencë në përzgjedhjen e aplikantëve. Edhe drejtori i Kolegjit të Formimit Policor, Skënder Kalemi, thekson, se verifikimet kryhen nga komisariatet dhe drejtoritë përkatëse.Ndërkohë, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, thotë, se nëse ekziston informacion nga strukturat policore, se një aplikant apo familjar i tij është i implikuar në veprimtari kriminale, skualifikimi është i menjëhershëm dhe i pakthyeshëm për atë vit, duke i lënë kandidatët të aplikojnë sërish vitin pasardhës.



