“Nuk kthehesha kurrë për luks”, Berisha: I jam rikthyer betejës për dinjitetin tim

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha nga Kuvendi i PD dje në Pallatin e Kongreseve se rikthimi i tij në krye të PD nuk është as për pasuri dhe as për luks, por një betejë për dinjitet.

Berisha u shpreh se rikthimi tij synonte lënien e një trashëgimie të re të PD dhe me synimin për t’i dhënë përgjigje halleve të qytetarëve, që sipas tij në këto 12 vjet kanë qenë nën pushtim.

Kryedemokrati e cilësoi programin e PD për një Shqipëri madhështore një projekt që vendi nuk e ka pasur në 34 vjet ndërsa akuzoi Ramën për vjedhje të ideve.

“Sot ne jemi mbledhur këtu për të prezantuar një projekt që në 34 vite, Shqipëria nuk e ka pasur kurrë ndonjëherë. Një projekt aq i mirë, sa edhe PS, e cila qeverisi 12 vite me mashtrime me vjedhje, u kthye ta vlerësojë, të vjedhë dhe ta kopjojë. Ndonëse kundërshtarët politikë, Edi Rama e pranoi se nuk ka projekt, apo më mirë të themi, projekti i tij është vetëm dora për të vjedhur. Por miqtë e mi, kopja mbetet kopje e shëmtuar.

Asnjë nuk gënjehet. E mbani mend, Nokia tre dekada më parë ishte në zenitin e teknologjisë, por Apple nxori iPhonen e parë, shumë herë më lart se Nokia. Nokia tentoi të kopjojë iPhonen, dështoi. Apple nuk ia përmendi kurrë kopjen Nokias, por vazhdoi të përmirësojë iPhonen e saj. Sepse kopja mbetet kopje, nuk rritet, nuk shitet, nuk pranohet”, tha Berisha.

Të Fundit