Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, “nuk kanë bërë asgjë” për të ndihmuar në përfundimin e luftës në Ukrainë. Këto komente vijnë në prag të vizitave të ndara të dy liderëve evropianë në Uashington javën e ardhshme, mes përplasjes së vazhdueshme mes Trump dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Gjatë një interviste për Fox News, Trump theksoi se negociatat për përfundimin e konfliktit me Rusinë janë nisur, por pa përfshirjen e Kievit. “Zelensky ka marrë pjesë në takime për tre vjet dhe asgjë nuk është arritur”, tha Trump.
I pyetur mbi vizitat e ardhshme të Starmer dhe Macron, ai shtoi: “Ata nuk bënë asgjë për t’i dhënë fund luftës. Nuk ka patur negociata me Rusinë, nuk ka patur progres.”
Pavarësisht kritikave, Trump e cilësoi Macronin si “mik”, ndërsa për Starmerin u shpreh se ishte “një djalë shumë i mirë”, por insistoi se asnjëri prej tyre nuk ka ndikuar në zgjidhjen e konfliktit.
Vizita e Sir Keir Starmer në Uashington pritet të përqendrohet tek mbështetja britanike për Ukrainën. Kreu i Liberal Demokratëve, Sir Ed Davey, ka kritikuar Trumpin, duke e akuzuar për një “afrim” me Vladimir Putinin që “përben një tradhti ndaj Ukrainës”. Ai i ka bërë thirrje Starmer që të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj presidentit amerikan.
Nga ana tjetër, ministri i kabinetit britanik, Pat McFadden, ka theksuar se qeveria britanike duhet të ruajë një “marrëdhënie të mirë dhe konstruktive” me Shtëpinë e Bardhë, duke paralajmëruar kundër ndjekjes së “çdo komenti” të bërë nga Trump, por duke u fokusuar tek zhvillimet konkrete.
Vizita e Starmer vjen në një moment kur raportet mes Trump dhe Zelensky janë ftohur dukshëm. Zelensky ka akuzuar presidentin amerikan se jeton “në një hapësirë ruse dezinformimi”, ndërsa Shtëpia e Bardhë e ka quajtur qasjen e Zelenskyt ndaj Trump si “fyese”.
Ndërkohë, Elon Musk ka sulmuar Zelensky-n, duke e akuzuar se po “drejton një makineri mashtrimi që ushqehet me trupat e vdekur të ushtarëve”.
Megjithatë, i dërguari i Trump për Ukrainën, gjenerali Keith Kellogg, ka shprehur vlerësim për Zelenskyn, duke e quajtur një “udhëheqës të guximshëm në kohë lufte” pas një serie takimesh mes tyre.
Përpara vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, Macron ka deklaruar se do t’i kërkojë Trump-it që “të mos jetë i dobët” përballë Putinit. Gjatë një seance pyetje-përgjigje në rrjete sociale, presidenti francez u shpreh: “Si mund të jesh i besueshëm përballë Kinës nëse të shohin si të dobët kundrejt Putinit?”.