Nuk kap pikët për ilacin me rimbursim. E moshuara: s’ konkuroj për miss! 25 maj 2018


Lumturi Haskoçelaj rrëfeu në emisionin “Stop” peripecitë që ka kaluar me shëndetin. Në vitin 2013 është operuar në zemër për shkak të bllokimit të koronareve. Për shkak të trompozës në zemër, ajo është kuruar me medikamentin “Xarelto”, i cili është jetik për shëndetin e saj.

Por këtë muaj është përballur me një surprizë aspak të këndshme, ilaçi i saj u hoq nga lista e rimbursimit.

“Isha në 6-mujorin e tretë të përfitimit të këtij ilaçi, kur më thanë këtë muaj që ti nuk e përfiton më sepse duhet të plotësoja disa pikë. A thua që unë po konkurroja për “miss”… Unë konkurroj për të jetuar! Me dy pikë nuk përfitoja të tretën, kështu që duhej të vdisja. I kam jetike, pa atë unë nuk jetoj dot!”, tregoi denoncuesja.

Medikamenti në fjalë kushton 93 mijë lekë të vjetra, ndërsa të gjithë ilaçet e saj arrijnë vlerën e 225 mijë lekëve, çka nuk e përballon dot me pensionin e saj mujor.

“Të bëhet llogaria dhe të mendojë qeveria do rroj apo do vdes!”, u shpreh e pashpresë Haskoçelaj.

Gazetarja e emisionit “Stop” sëbashku me zonjën Lumturie komunikuan me mjeken e familjes, Sonila Dollkun në lidhje me përfitimin e pikëzimit për përfitimin e barnave të rimbursueshme.

“Në listën e re të barnave të vitit 2018, kufizimi mbi përdorimin e “Xarelto” ka një sistem pikëzimi. Në qoftë se pacientët e plotësojnë këtë sistem pikëzimi me 3 ose më shumë pikë, atëherë mund ta përfitojnë”, tha mjekja e familjes.

Po ashtu pranë Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetsor Fier u përgjigjën se nuk mund të bëjnë asgjë për shkak të udhëzimit të datës 5 Maj 2018.

“Sipas diagnozave dhe moshas që kanë, nëse arrijnë 3 ose më shumë pikë mund ta marrin këtë preparat. Ndërsa pacientët që nuk e arrijnë pikëzimin 3 do të mjekohen me një terapi brenda këtij grupi. Kjo është një ndër pacientët që nuk e përfiton këtë trajtim 3 pikësh. Ka preparate antikoagulant, ka dhe shumë preparate të tjera në listë, me të cilat zonja mund të mjekohet, në gjykim të mjekut specialist”, shpjegoi ajo, duke ia lënë përgjegjësinë komisionit.

Të Fundit