Në Lezhë, Shuaip Dani u drejtua në redaksinë tonë për një ankesë, që zgjaste prej tre vitesh. Ai kishte mbajtur me qira një objekt për shumë vite dhe, në mungesë të pronarit, që jetonte jashtë Shqipërisë, kishte lidhur kontratën e energjisë elektrike me OSHEE-në.Tre vite më parë e la ambientin dhe kërkoi të mbyllte kontratën, por iu kërkua dokument pronësie, që as pronari nuk e disponon. Ndërkohë, Shuaipi vazhdonte të paguante tarifën e shërbimit, pa e përdorur më objektin.Gazetarja e “Stop” u paraqit në zyrën e kujdesit ndaj klientit në Lezhë, ku i konfirmuan, se pa dokument pronësie, sistemi nuk lejon mbylljen e kontratës. Pas interesimit pranë Drejtorisë Qendrore të OSHEE-së, zëdhënësi për mediat, Ardian Kola, bëri me dije, se rasti do të verifikohej dhe do të merrte zgjidhje.Në fund, qytetari konfirmoi, se çështja e tij u zgjidh dhe falënderoi publikisht emisionin “Stop”.




