Alessia Castellani dhe Daniel Iaconis prej kohësh po kërkojnë një strehim në qytet, duke u përballur me vështirësitë që vijnë nga statusi i tyre si të vetëpunësuar dhe me paragjykimet lidhur me tatuazhet në lëkurë: «Jemi mësuar me fyerje, por këtu po teprohet». «Nuk japim shtëpi me qira atyre që kanë tatuazhe». Kjo është ajo që iu është thënë Alessia Castellani-t dhe Daniel Iaconis-it, një çift tatuatorësh me origjinë nga Milano, të cilët, në përpjekje për të gjetur shtëpi në Torino me një buxhet prej 750 eurosh, kishin publikuar një njoftim në faqen në Facebook “Sei di Mirafiori Sud”. Pas publikimit të njoftimit, ata morën mesazhe fyese dhe të dhunshme. Mesazhe me tone të ashpra që thoshin: «Si pretendoni që dikush t’ju japë një shtëpi duke qenë të tillë? Ju dukeni të shpifur, dukeni sikur jeni drogaxhinj dhe të ndyrë. Nëse do të kisha një shtëpi, do ta digjja më mirë sesa t’jua jepja juve. Nuk do të gjeni kurrë shtëpi ose punë me ato tatuazhe».
Ky mesazh i preku shumë të dy të rinjtë, të cilët kanë vështirësi edhe sepse përgjithësisht pronarët nuk i shohin me sy të mirë ata që janë të vetëpunësuar: «Jemi mësuar me shikimet, komentet dhe fyerjet, sidomos unë, që jam një vajzë me krahët të mbushur me tatuazhe të zeza – rrëfen ajo – por kjo nuk na kishte ndodhur kurrë». Dhe më tej: «Çdo ditë ndeshemi me njerëz që na gjykojnë për pamjen tonë, duke injoruar plotësisht faktin që jemi njerëz para së gjithash! Kemi tatuazhe, është puna dhe pasioni ynë, por e gjej të ulët të na shoqërojnë me diçka që mund t’i kujtojë njerëzit drogën, papastërtinë dhe kriminalitetin! Ne luftojmë çdo ditë me njerëz të këqij që na fyejnë. Pas atyre tatuazheve janë njerëz që ju nuk i njihni, nuk e dini as nëse janë me diplomë, as nëse janë të ndershëm, as nëse bëjnë bamirësi, as nëse janë njerëz që ndihmojnë të tjerët! Ju ndaloni te krahasimi tatuazh=drogaxhi, por nuk jemi më në vitet ’60, kur shumica ishin kriminelë. Jemi në vitin 2024 dhe ende luftojmë kundër tatuazheve në vend që të luftojmë kundër njerëzve që urrejnë të tjerët. Ju jeni të këqijtë e shoqërisë, jo ne».
Alessia ka shpjeguar gjithashtu se ata kanë një punë: 1.500 orë formim dhe kualifikimin për të ushtruar profesionin. Daniel ushtron profesionin prej të paktën 10 vitesh: ka mijëra ndjekës dhe ata që i drejtohen atij, e bëjnë për stilin e tij personal, kryesisht të vizatuar me dorë të lirë mbi trupat e klientëve. «Një gjë është e sigurt, ne nuk do të ndalojmë së kërkuari për shtëpi – thotë vajza -. Nuk duam të gjykohemi nga pamja, por nga serioziteti ynë në punë dhe në jetë».