“Jam i pafajshëm kërkoj të lirohem menjëherë. Nuk mbaj mjete prerëse dhe sherrin nuk e kam nisur unë.” Këto janë fjalët që ka thënë në sallën e gjyqit me dyer të mbyllura 56-vjeçari Mikel Ndoj, i cili dy ditë më parë plagosi vajzën e tij dhe një koleg të saj që u përpoq ta mbronte 24-vjeçaren.
Gjykata caktoi masën e sigurisë arrest në burg për Ndoj dhe e vleftësoi të ligjshëm arrestin e tij nga policia. Ai nuk ka shfaqur asnjë lloj pendese për krimin e kryer, për të cilin ka dhe dëshmitarë e pamje filmike të sekuestruara nga policia. Përkundrazi është shfaqur mohues ndaj ngjarjes.
Prindërit e vajzës kishin 6 vite të ndarë. Ndarja kishte ndodhur pas dhunës në familje, ndërsa 56-vjeçari ishte larguar në Itali, ku edhe ishte burgosur. Pas rikthimit, ai nuk është pranuar në familje.
Kjo ka mjaftuar që babai t’i shkonte në vendin ku ajo punonte dhe ta plagoste me thikë në rrugë.



