Gjykata e Apelit të Tiranës la në arrest me burg Jakup Shahun, i cili u arrestua disa ditë më 24 mars, pasi qëlloi disa herë me thikë bashkëshorten, Edlira Shahu.
Apeli e cilësoi të ligjshëm caktimin si masë sigurimi personal “arrest në burg”, ndaj tij për kryerjen e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” e mbetur në tentativë.
Njoftimi i plotë i gjykatës:
Më datë 23.05.2024, rreth orës 04:00, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit me iniciale J.Sh, i cili pas një konflikti të çastit në banesën e tij në Rrugën “Hysen Xhura”, ka qëlluar me mjet prerës (thikë) në disa pjesë të trupit bashkëshorten e tij shtetasen me iniciale E. Sh, duke i shkaktuar asaj dëmtime të rënda
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin si të ligjshëm të arrestimin në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale J. Sh, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79/c dhe 22 të Kodit Penal.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1378 Regj. Them, datë 25.05.2024, ka vendosur:
1. Vlerësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë të shtetasit J. Sh.
2. Caktimin si masë sigurimi personal ndaj shtetasit J. Sh “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 të K.Pr. Penale lidhur me hetimet për kryerjen e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79/c dhe 22 të Kodit Penal.
3. Ngarkohet Policia Gjyqësore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale J. Sh, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit në lidhje me caktimin masës së sigurimi personal, duke caktuar arrest në burg me afat.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 18.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Valbona Vata, vendosi:
-Miratimin e vendimit me nr. 1378 regj.them, datë 25.05.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Më parë, 52 vjecari deklaroi para trupes gjykuese se e qëlloi me thikë në gjaknxehtësi e sipër gruan e tij.
“Nuk doja ta qëlloja shpirtin tim, nuk di si veprova por u nxeha. E qëllova në debat e sipër”, tha i dyshuari, i cili shpërtheu në lot në sallën e gjykatës.