Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg ish-kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe. Tushe u akuzua për mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë.
Gjykata vendosi të konvertojë dënim me 1 vit e gjysmë burg në 2 vite shërbim prove, duke shmangur kështu prangosjen e ish-kryebashkiakut.
Ky vendim vjen pas hetimeve që zbuluan se Tushe kishte dështuar të deklaronte të gjitha pasuritë e tij, një detyrim ligjor për zyrtarët e lartë publikë. Ish-kryebashkiaku ishte nën hetim prej kohësh për shkelje të ligjit lidhur me transparencën financiare pasi kishte fshehur një apartament në bregdet.
Tushe do të jetë nën mbikëqyrje për një periudhë dyvjeçare, duke iu nënshtruar kushteve të vendosura nga autoritetet për këtë lloj dënimi.
Dënimi i tij për fshehjen e pasurisë vjen pak muaj pasi Fatos Tushe shlyeu dënimin prej 3 vjet e 4 muaj burg për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.
Ish-kryebashkiaku socialist u dënua në korrik të 2022 me 2 vjet e 4 muaj burg për shpërdorim detyre nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, ndërsa akuzat për shkelje të barazisë në tendera mbetën pa vendim, ndonëse SPAK kishte kërkuar një dënim prej 5 vjetësh. Në mars të vitit të kaluar, Apeli i Posaçëm i shtoi dënimin Fatos Tushes me 1 vit, duke e rikthyer në burg për të përfunduar pjesën e mbetur të dënimit për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.