Kandidati i Partisë Demokratike për deputet në Tiranë, Ilir Alimehmeti, ka falënderuar të gjithë mbështetësit e tij që i besuan votën më 11 maj, pavarësisht se ai nuk arrit të futej në Kuvendin e ri.
“18.125 herë ju i thatë “po” shpresës, ndryshimit dhe të vërtetës. 18.125 zemra besuan se politika mund të jetë ndryshe – më njerëzore, më e drejtë, më pranë qytetarit. Për këtë, ju jam thellësisht mirënjohës”, ka shkruar ai në një postim në rrjetet sociale.
Demokrati thotë se kjo fushatë nuk ishte thjesht një sfidë elektorale, por ishte një thirrje për ndërgjegje, për bashkim rreth vlerave që na bëjnë njerëz: ndershmëria, puna, dinjiteti.
Ndër të tjera, Alimehmeti thekson se rezultati i zgjedhjeve nuk është fundi, por është fillimi i një rrugëtimi të gjatë dhe të ndershëm, që do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim, pa u ndalur. Kujtojmë se Alimehmeti ishte në garë të fortë në Tiranë me deputetet Jorida Tabaku, e cila arrtit të sigurojë mandatin e deputetes me një diferencë jo të madhe krahasuar me kolegun e saj.
REAGIMI
“Të dashur qytetarë, miq e bashkëluftëtarë të ndershmërisë, 18.125 herë ju i thatë “po” shpresës, ndryshimit dhe të vërtetës. 18.125 zemra besuan se politika mund të jetë ndryshe – më njerëzore, më e drejtë, më pranë qytetarit. Për këtë, ju jam thellësisht mirënjohës. Kjo fushatë nuk ishte thjesht një sfidë elektorale – ishte një thirrje për ndërgjegje, për bashkim rreth vlerave që na bëjnë njerëz: ndershmëria, puna, dinjiteti.
Çdo votë që hodhët nuk ishte vetëm për një emër, por për një mënyrë të re të të bërit politikë. Ju faleminderit që qëndruat krah meje, që më dhatë forcë me fjalët, buzëqeshjet dhe besimin tuaj. Faleminderit që më lejuat të jem zëri juaj.
Rezultati nuk është fundi – është fillimi i një rrugëtimi të gjatë dhe të ndershëm, që do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim, pa u ndalur. Me gjithë shpirtin, Ilir Alimehmeti”, ka shkruar ai.