Njeriu me emrin më të gjatë në botë, i duhen 20 minuta për ta thënë të plotë

Për shumicën e njerëzve, prezantimi është një formalitet i shkurtër, një shkëmbim emrash që zgjat vetëm disa sekonda. Por për Laurence Watkins, kjo është një sfidë që kërkon durim, frymë dhe kohë.

Për t’i shqiptuar të gjitha 2253 fjalët e emrit të tij të plotë, Watkins ka nevojë për plot 20 minuta. Ky fakt u bë i njohur për herë të parë në martesën e tij të parë në vitin 1991, kur celebruesi kishte regjistruar paraprakisht listën e pafundme të emrave të tij. Ndërsa të ftuarit endeshin me gotën e shampanjës në dorë, regjistrimi vazhdonte pa ndërprerje, derisa më në fund erdhi momenti që Watkins të thoshte “Po”.

60-vjeçari nga Auckland, në Zelandën e Re, tashmë i vendosur në Sidnei të Australisë, mban rekordin botëror të “Guinness World Records” për emrin personal më të gjatë në botë. I lindur në vitin 1965 si Laurence Gregory Watkins, ai që në fëmijëri ishte magjepsur nga emisioni televiziv “Ripley’s Believe It or Not!”, që tregonte histori të jashtëzakonshme nga e gjithë bota. Pas kësaj, ai u pasionua edhe pas “Librit të Rekordeve Guinness”, të cilin e lexoi faqe më faqe.

“Isha i mahnitur nga mbajtësit e rekordeve, njeriu më i shpejtë, më i gjati, më i forti. Njerëz me flokët më të gjatë, me thonjtë më të gjatë e kështu me radhë,” rrëfen Watkins për CNN. Por ai shpejt kuptoi se, si një njeri “i zakonshëm, pa ndonjë talent të veçantë”, mënyra e vetme për të hyrë në librin e famshëm ishte të krijonte emrin më të gjatë në botë.

Watkins kaloi një muaj të tërë duke përzgjedhur emrat. Ai pagoi një daktilograf 230 dollarë për t’i shtypur të gjithë në letër. Frymëzimin e mori nga emra latinë e anglo-saksonë, nga libra me emra për foshnja që gjendeshin në Bibliotekën e Auckland-it ku punonte, por edhe nga fjalori Māori.

Edhe pse nuk ka lidhje kulturore me popullin indigjen Māori, Watkins tha se i admiron ata dhe gjuhën e tyre. “Por disa emra ishin shumë të gjatë, një sfidë më vete për makinën e shkrimit, në një kohë pa kompjuterë modernë”, shton ai.

Në listën e tij u përfshinë gjithashtu emra si Love, Florence dhe Basil Brush (nga kukulla e famshme britanike), disa emra samoanë, tre japonezë dhe dy kinezë, përfshirë “Xiao” të shkruar “Shal”. Ai shtoi edhe “Gaylord”, për nder të gjimnastit amerikan Mitch Gaylord, fitues i medaljes së artë olimpike në vitin 1984. “E mora mbiemrin e tij sepse ishte një djalë shumë simpatik”, thotë ai me humor. “Por emri im i preferuar është AZ2000, që do të thotë se kam më shumë se 2000 emra nga A në Z”.

Emri i tij i ri zinte gjashtë faqe të daktilografuara. Në vitin 1990, ai kërkoi zyrtarisht ndryshimin e emrit, kërkesë që u pranua nga Gjykata e Qarkut të Auckland-it, por u refuzua në fund nga Regjistruesi i Përgjithshëm. Watkins e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë dhe fitoi.

Në vitin 1992, ai mori zyrtarisht certifikatën e Guinness për “emrin e krishterë më të gjatë në botë” me 2310 fjalë. Kohët e fundit, rekordi u rishqyrtua dhe u rikonfirmua si “emri personal më i gjatë në botë”, me 2253 emra individualë.

Në jetën e përditshme, Watkins përdor versionin e shkurtuar “Laurence Alon Aloy Watkins” dhe nënshkruhet si “Watkins V” (gjenerata e pestë). Por në dokumentet zyrtare, emri i tij i plotë mbush shtatë faqe të certifikatës së lindjes.

Pasaporta e tij origjinale kërkonte gjashtë faqe shtesë për emrin, ndërsa në versionin digjital të sotëm figuron vetëm emri i shkurtuar, me shënimin “ka edhe 2249 emra të tjerë” në faqen e vëzhgimeve. Megjithatë, ai gjithmonë udhëton me një kopje të certifikatës së lindjes, “në rast se dikush do ta shohë me sytë e vet.”

Pas fitores në Gjykatën e Lartë, qeveria e Zelandës së Re ndryshoi dy ligje, duke ndaluar raste të ngjashme. Sot, qytetarëve u ndalohet të përdorin tituj zyrtarë (si Lord, Baron apo Count), fjalë ofenduese, numra, simbole apo emra më të gjatë se 70 karaktere, duke përfshirë hapësirat. “Nuk kam asnjë pendesë”, thotë Watkins. “Nëse do të ndryshoja emrin sot, do të duhej të hiqja 98% të tij, dhe do të humbisja rekordin Guinness, që ishte edhe arsyeja pse e bëra”.

Të Fundit