Me siguri nëpër libra shkollorë keni mësuar se njerëzit e parë jetuan në Afrikë nga ku më pas populluan edhe pjesën tjetër të botës. Por, mesa duket – kjo nuk është aspak e vërtetë!
Prej pak vitesh, teza se njerëzimi evoluoi nga Afrika ka nisur të kthehet me ‘kokë poshtë’.
Studiuesit kanë gjetur prova se njerëzit e parë mund të kenë jetuar në Mesdheun Lindor – jo në Afrikë – dhe se paranjeriu i parë, ose hominin, ka ecur në zonën e Greqisë Veriore-Ballkanit, sipas hulumtimit të botuar në revistën shkencore PLoS One dhe ScienceDaily.
Pra sipas studiuesve, njerëzit e parë nuk jetonin në Afrikë, por pikërisht në Europë dhe më saktësisht në Mesdhe – në Greqinë veriore!
Si nisi e gjithë kjo?
Në vitin 1944, një nofull e lashtë bashkë me dhëmbët u zbulua në Pyrgos Vassilissis, Greqi, por atëherë nuk iu kushtua shumë vëmendje. Bota ishte në luftë dhe kishte shqetësime të tjera.
Megjithatë, interesi për këtë fosile tani po rritet me hapa të shpejtë pas publikimit të këtij zbulimi të mahnitshëm nga një ekip ndërkombëtar studiuesish.
Madelaine Böhme, udhëheqëse e projektit nga Qendra Senckenberg për Evolucionin Njerëzor dhe Universiteti i Tübingen, dhe bashkëautori Nikolai Spassov nga Akademia Bullgare e Shkencave, së bashku me kolegë të tjerë, kanë analizuar si fosilin Pyrgos ashtu edhe një premolar më të lartë, zbuluar në Azmaka të Bullgarisë.
El Graeco është hominidi më i vjetër i njohur deri më sot, tha Spassov.
Është disa qindra mijëra vite më i vjetër se homonidi më i vjetër i gjetur në Afrikë, Sahelanthropus, i zbuluar në Çad, i vendosur diku rreth 6-7 milionë vjet më parë.
Antropologët përdorin termin hominid ose humanoid sepse paraardhësi i fundit i përbashkët i njerëzve dhe shimpanzeve ka ruajtur edhe karakteristikat e primatit dhe të njeriut.
Edhe pse El Graeco njihet vetëm nga nofulla fosile dhe nga premolarët, ekipi i studiuesve ishte në gjendje të shihte me ndihmën e tomografisë së kompjuterizuar sesi tiparet evoluuan në forma më njerëzore dhe se si rrënjët e premolarëve u reduktuan shumë.
Pamja e përgjithshme, duke marrë parasysh fosilet e gjetura në Afrikë, Azi dhe Evropë, tregon se primatët e parë mund të kenë ardhur nga Azia më shumë se 40 milionë vjet më parë.
Disa shkuan në Afrikë. Pas shumë vitesh evolucioni, disa specie të njohura si hominidë u kthyen në Evropë dhe Azi rreth 14 milionë vjet më parë, shpjegoi Böhme.
Paraardhësit e El Graeco-s janë hominidët euroaziatikë, siç është edhe Ouraanopithecus nga Greqia, shtoi studiuesja.