Në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, këtë të hënë, po shqyrtohen ankesat e depozituara nga Partia Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për Qarkun e Korçës.
Marash Logu, përfaqësuesi i PD në KAS, kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në këtë qark, si dhe ripërsëritjen e tyre. Sipas tij, PD ka fakte të shumta që mund të arrihet në këtë vendim, ndërsa shtoi, se sipas tyre, një votë në këtë qark është blerë diku te 100-300 euro.
Sakaq, edhe lëshimi i tenderave publikë, lejeve të ndërtimit dhe legalizimeve sipas Logut, ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve.
“Krahas blerjes së votave me shumat 100-300 euro, janë ndarë ndihma ushqimore, me qëllim manipulimin e zgjedhjeve. Sigurisht PD vuri në dispozicion të këtij komisioni, të gjitha provat që kishin. Kërkuam marrjen e një sërë provash shtesë, por këto kërkesa u refuzuan dhe në vlerësimin tonë kjo e ka bërë hetimin e cunguar. Kemi parashtruar në mënyrë të përsëritur faktin se si tenderat dhe investime të tjera janë vendosur në dsipozicion të PS. Në vitin 2020, në të gjithë republikën, u prokuruan rreth 870 kontrata publike me vlerë 20 milionë euro. Provat dhe faktet që ne kishim në dizpocion, ishin të mjaftueshme për të krijuar dyshime të arsyeshme sa i përket këtyre pretendimeve, por faktimi ynë i plotë kërkonte marrje të provave shtesë. Ne parashtruam faktin që punonjësit, u kërcënuan, intimiduan, që të merrnin pjesë në fushatën e PS, kemi denoncuar edhe fakte konkrete.
Një fakt tjetër i rëndësishëm është dhe fleta e votimit, pasi mbi 7 mijë fletë në Qarkun e Korçës dolën të pavlefshme. Të dhënat që morëm nga PEI, shenjat e 23 persona janë përdorur për identifikimin e 63 zgjedhësve, kjo do të thotë se 23 mund të kenë votuar 23 herë, ose tre herë për person. kërkojmë shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Qarkun e Korçës dhe urdhërimin e përsëritjes së zgjedhjeve në këtë qark”, u shpreh Marash Logu.