Monika Kryemadhi ka folur për ndjenjat e saj ndaj ish-bashkëshortit, Ilir Meta, me të cilin prej një viti janë të divorcuar.
Ajo u shpreh se vazhdon të besojë tek dashuria, duke e cilësuar atë si një ndjenjë solemne për njeriun.
“Patjetër që besoj tek dashuria. Dashuria është kryesore. Dashuria ngroh shpirtin e një njeriu. Kush nuk ka dashuri, nuk ka gjetur paqe me veten dhe me shoqërinë”, tha Kryemadhi.
Ndjenjat për ish-bashkëshortin Meta vazhdojnë të ekzistojnë, pavarësisht ndarjes, ndaj tha se nuk po mendon për lidhje të re.
“Nuk mendoj se jam në fazën për t’u dashuruar, sepse unë e kam dashurinë time akoma. Pavarësisht marrëdhënieve dhe ulje-ngritjeve që kemi pasur, unë nuk jam e pangopur në dashuri”, u shpreh Kryemadhi.
Ajo shtoi se ndarja nuk do të thotë gjithmonë mbarim i ndjenjave nga të dyja palët, por thjesht ndryshim prioritetesh.
“Vjen një moment kur dikujt i mbaron dashuria, por kjo nuk do të thotë që i mbaron nga ana tjetër. Për mua sot nuk është prioritet një dashuri tjetër”, tha ajo për emisionin “Ftese në 5”.
“Për fatin tim të keq ndoshta por edhe të mirë mund ta quaj, Ilir Meta ka qenë dashuria ime e parë dhe e fundit. E gjithë jeta ime politike ka filluar me Ilir Metën në krahë, kemi kaluar sfidat bashkë dhe prapë politika ishte ajo që na ndau. E kam dashur Ilir Metën më shumë se ç’mund të më ketë dashur ai”, tha Kryemadhi.



