Një satelit i NASA-s jashtë funksionit, në rënie të pakontrolluar drejt Tokës

Sateliti shkencor i NASA-s Erbs (Earth Radiation Budget Satellite), në orbitë prej gati 40 vitesh i cili nuk është më funksional, po bie në mënyrë të pakontrolluar drejt Tokës dhe hyrja e tij në atmosferë pritet të ndodhë natën midis 8 dhe 9 janarit.

Sipas parashikimeve të NASA-s, anija kozmike, që peshon pothuajse dy tonë e gjysmë, duhet të shkatërrohet pothuajse plotësisht në përplasjen me atmosferën, por disa fragmente mund të mbërrijnë gjithsesi në Tokë.

Sipas agjencisë amerikane të hapësirës rreziku që dikush të goditet nga mbetjet e satelitit, llogaritet në 1 në 9400.

Sipas përllogaritjeve më të fundit që disponon Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, hyrja në atmosferë pritet në orën 00:40 me orën tonë të datës 9 janar.

I nisur në vitin 1984 me anijen Challenger, sateliti Erbs ishte projektuar për të funksionuar për dy vjet, por jeta e tij funksionale ishte shumë më e gjatë.

Për 21 vjet, instrumentet e saj kanë mbledhur të dhëna për atmosferën dhe klimën, duke matur nivelet e ozonit, avullit të ujit dhe aerosoleve.

Erbs pushoi së punuari në 2005, duke u bërë një nga mbeturinat hapësinore tashmë të shumta në orbitën e Tokës.

Sateliti i NASA-s është i fundit në një seri të gjatë objektesh që bien në mënyrë të pakontrolluar nga hapësira, një fenomen që tani është bërë shumë i zakonshëm, aq sa ekspertët vlerësojnë se episode të ngjashme ndodhin çdo një ose dy ditë.

Të Fundit