Një shpërthim me tritol tronditi mbrëmjen e kësaj të diele Lushnjen. Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja Anila Sefa, e cila thotë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:45, në lagjen 18 Tetori.
Lënda shpërthyese, sipas gazetares, është vendosur në shtëpinë e Arben Turkut, i cili jeton në Angli. Kjo shtëpi ka rënë pre e sulmeve të tilla edhe 3 herë të tjera në të shkuarën. Nga ngjarja raportohet për dëme të shumta materiale. Lënda plasëse dyshohet se u hodh nga autori nga rruga drejt oborrit të shtëpisë. Si pasojë e shpërthimit janë thyer xhamat dhe dyert, ndërsa në oborr është hapur një gropë e madhe.
“Rreth orës 22:00, në lagjen “18 Tetori”, Lushnje, pranë banesës së shtetases R. T., (e cila është e pabanuar), është hedhur një sasi e vogël lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor, për të kryer veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Po kqyren kamerat e po vijon kontrolli i zonës nga shërbimet e Policisë për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, tha policia e Lushnjes në një njoftim paraprak për ngjarjen.
Hera e parë që shtëpia e Turkut ra pre e tritolit ishte më 1 Nëntor të vitit 2022. E dyta ndodhi natën e ndërrimit të viteve, më 31 Dhjetor të 2023-t. Në shtëpinë në fjalë, në të dyja rastet në fjalë jetonte kunati i Turkut me familjen, Altin Lamçe.
Por ky i fundit mësohet se nuk jeton më në këtë shtëpi që pas sulmit të 31 Dhjetorit dhe shtëpia aktualisht është e pabanuar.
Sulmi tjetër ndodhi më 26 Korrik, po të këtij viti. Në këtë kohë, në shtëpi ndodhej pronari i saj Arben Turku.
Fatmirësisht në asnjë prej këtyre rasteve nuk pati të lënduar. Sa i përket autorëve, për 3 shpërthimet e mëparshme përgjegjësinë e ka marrë përsipër i penduari i drejtësisë Marjus Tafani, i arrestuar në Tiranë gjatë muajit Shtator.