Një gropë karstike 7-metra shfaqet pranë banesave në Belsh, banorët të shqetësuar

Një gropë karstike me diametër rreth 7 metra dhe thellësi mbi 10 metra është shfaqur prej disa ditësh shumë pranë banesave në lagjen e spitalit në qytetin e Belshit, duke shkaktuar frikë tek banorët.

Dumreja është një zonë e njohur për aktivitet të lartë karstik, e cila numëron mbi 84 liqene të krijuara pikërisht nga ky fenomen natyror.

Sipas banorëve, gropa po zgjerohet me kalimin e ditëve dhe po i afrohet rrezikshëm ndërtimeve, ndërsa kërkohen masa urgjente nga autoritetet për të shmangur pasojat.

Në Dumre, terreni prej rreth 360 km² është i ndjeshëm ndaj shkrirjes së shkëmbinjve të gipsit dhe gëlqeres, çka e bën zonën të predispozuar për rrëshqitje dhe shembje të tokës të këtij lloji.

Ngjarje të ngjashme janë regjistruar edhe më herët, ku në qershor të këtij viti një gropë tjetër karstike u hap në fshatin Dëshiran, ndërsa në maj të vitit 2022 një fenomen i njëjtë u shfaq pranë banesave në fshatin Cestije.

Ndërkohë, reshjet e shiut të ditëve të fundit e bëjnë situatën edhe më të pasigurt, duke shtuar shqetësimin e banorëve se toka mund të vijojë të zhytet.

Të Fundit