Sot, më 8 shtator, në të gjithë Shqipërinë ka nisur zyrtarisht viti i ri shkollor 2025–2026.
– Advertisement –
Rreth 345 mijë nxënës ulen sot në bankat e shkollave ndërsa 26,500 prej tyre janë fëmijët që për herë të parë fillojnë klasën e parë, duke nisur kështu rrugëtimin e tyre në botën e dijes.
Procesi mësimor do të zhvillohet nën kujdesin e 31 mijë mësuesve në sistemin arsimor publik.
Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se këtë vit është përforcuar mbështetja për nxënësit me aftësi të kufizuara, me një total prej 2.260 mësuesish ndihmës, 150 më shumë se një vit më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vend funksionojnë rreth 1.000 shkolla 9-vjeçare publike dhe 380 shkolla të mesme.
Policia me plan të posaçëm për sigurinë në shkolla
Për nisjen e vitit të ri shkollor, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar për garantimin e sigurisë pranë institucioneve arsimore. Masat përfshijnë:
Rritjen e prezencës së efektivëve të policisë pranë shkollave gjatë orarit të hyrjes, daljes dhe pushimit të madh;
Kontrollin e pikave ambulante që tregtojnë alkool ose produkte ushqimore të skaduara pranë shkollave;
Parandalimin e mbajtjes së sendeve të jashtëligjshme nga nxënësit, për të shmangur incidente të rënda;
Vlerësimin e çdo informacioni që lidhet me konflikte potenciale apo fenomene si bullizmi.
Celularët në shkollë? Vetëm me lejen e prindit
Një tjetër element i rëndësishëm për këtë vit shkollor është udhëzimi i ri i Ministrisë së Arsimit në lidhje me përdorimin e celularëve në shkolla.
Nxënësit mund ta marrin me vete celularin vetëm nëse prindi e ka argumentuar si të domosdoshme, por gjatë orës së mësimit aparati duhet të fiket ose të vendoset në “airplane mode” dhe të vendoset në kutinë e posaçme të klasës.
Në rast të shkeljes së këtij rregulli:
Telefoni sekuestrohet dhe dorëzohet në drejtori;
Për herën e parë nxënësi këshillohet;
Në rast përsëritjeje, bëhet shënim nga kujdestari dhe njoftohet prindi, i cili është i vetmi që mund ta tërheqë aparatin.
Po ashtu, ndalohet përdorimi i celularit edhe nga vetë mësuesit, përveç rasteve emergjente ose në situata të provuara si të domosdoshme për mësimdhënie.