Sot nis viti i ri shkollor 2023-2024. Rreth 29 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollës për herë të parë ndërsa në klasat e 10-ta rreth 27 mijë.
Këtë vit të ri shkollor kanë përfituar tekste falas të gjithë nxënësit e arsimit bazë nga klasë e parë deri në të 9-tën si edhe 16 kategori në nevojë, të veçanta në arsimin e mesëm.
Për herë të parë në këtë vit shkollorë, në klasë të parë janë pranuar edhe fëmijët që janë 5 vjeç por që brenda vitit do të mbushin 6.
Krahas fëmijëve në sistemin arsimor janë edhe 31 mijë mësues, ndërsa procesi mësimor do të zhvillohet në 1700 shkolla të shpërndara në të gjithë vendin.
Në bazë të udhëzimit të ministrisë së arsimit, ky vit që nis në 11 shtator do të përfundojë në 14 qershor. Sa i takon pushimeve ato do të ndahen në dy periudha. Pushimet për rreth dy javë do të zhvillohen në muajin dhjetor, ndërsa 7 ditë të tjera janë planifikuar në javën e parë të Prillit.
Sipas vendimeve të marra, provimet kombëtarë të arsimit bazë do të zhvillohen ndërmjet datave 17-18 Qershor. Nxënësit do të testohen në lëndët Matematikë, Gjuhë e Huaj dhe Gjuhë Shqipe.