Këtë të hënë ka startuar sesioni i ri parlamentar, ku fjalën hapëse nga foltorja e ka marrë Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.
Në rendin e kësaj dite është hapja e sesionit të shtatë të legjislaturës 10 së Kuvendit, miratimin e procesverbaleve të seancave parlamentare të datave 25, 26 dhe 30 Korrik.
Mes ndërhyrjeve e kontestimeve nga deputetët e opozitës, Spiropali u shpreh kështu:
“Vendi im është ky në foltore, për të dëshmuar qoftë edhe formalisht se jemi mes të barabartëve, por kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri. Kanë mbetur vetëm pak muaj deri në takimin tonë me njëri-tjetritn përballë votuesve. Në ballafaqimin e ardhshëm elektoral do të shkojë secili nga ne me bilancet e veta dhe me brengat se çfarë do të kishim bërë më mirë. Unë besoj se reflektimi duhet të jetë i përbashkët, reflkektim i së shkuarës dhe projeksioneve të së ardhmes.”
Kryetarja e Kuvendit ju ka bërë thirrje kolegëve të saj të respektohen parimet etike të seancave plenare, si shenjë respekti për votëbesimin e qytetarëve.
“Unë besoj se një qasje tjetër në ballafaqimin tonë, duke nisur nga rikonsiderimi i armiqësisë së vjetër dhe ndryshimi në konceptimin e asaj që quhet një lloj marrëveshje, do të sillte një vlerë të shtuar për këtë parlament,” –tha Spiropali.