Nën moton “Përmes rrënjëve lartësohemi” për 3 ditë përfaqësues të diasporës shqiptare por edhe politikanë nga trevat shqipfolëse do të bëhen bashkë në samitin që do të mbahet në Tiranë në datat 13, 14 dhe 15 prill.
Samiti që rikthehet për të katërtin vit nisi me një ceremoni mirëseardhje në Teatrin e Operas dhe Baletit, me një fjalë të mbajtur nga presidenti Bajram Begaj.
“Shqipëria dhe shqiptaria nuk mbaron aty ku mbarojnë kufijtë tanë. Ajo është një zemër që rreh kudo ku ka një shqiptar. Kur flasim për diasporën sot, flasim për ndikim global. Shqiptarët janë aty, nga maja e IA, te institucionet ndërkombëtare, te auditorët e universiteteve më të mira, te arti e sporti.
Ju jeni fuqia, jeni ambasadorët tanë më të mirë, që kontribuoni pa urdhër, por me krenari. Sot jemi në një hap tjetër, në një marrëdhënie të re, në një kontratë të re, ku Diaspora nuk shihet më si burim remitancash, por si partner i vërtetë zhvillimi. Lidhja nuk është vetëm e zemrës, por edhe e mendjes. Për dekada diaspora ka qenë një ushtri ekonomike. Falë jush, shumë familje janë mbështetur ekonomikisht dhe kanë ecur përpara. Duam që të investoni mendjen dhe kapitalin tuaj këtu. Tashmë e drejta e votës nuk është më një premtim, por një realitet. Bota arbëreshe është një dëshmi e gjallë se identiteti shqiptar i mbijeton shekujve, por sot sfidat janë të tjera. Historia jonë ka qenë shpesh histori largimesh. Në rrugën tonë drejt Europës, diaspora shqiptare është zëri më i besuar”, tha Begaj mes të tjerash.
Në ditën e dytë të punimeve të samitit janë parashikuar 9 panele diskutimi me tematika të ndryshme që nga demokracia, vota e diasporës, biznesi, inovacioni, shëndetësia e sporti. Folës kryesor do të jetë kryeministri Rama dhe Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha.
Edhe në ditën e tretë të punimeve do të organizohen 9 panele të tjera diskutimesh me fokus tek integrimi europian, bota arbëreshe, riatdhesimi dhe identiteti kombëtar.
Kosova do të përfaqësohet në këto panele nga zv/kryeministri i parë Glauk Konjufca dhe disa ministra, ndërsa Mali i Zi do përfaqësohet nga ish-kryeministri shqiptar Dritan Abazoviç.
Nga Maqedonia e Veriut një nga figurat kryesore do të jetë Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së



