Më 18 gusht nisi pelegrinazhi 7-ditor drejt Malit të Tomorrit, ku çdo vit afro 600 mijë pelegrinë nga Shqipëria, diaspora dhe mbarë bota mblidhen për të nderuar Abaz Aliun, shenjtorin e familjes së Profetit Muhamed.
Pavarësisht besimit fetar, besimtarët marrin pjesë në këtë festë bektashiane, duke ngritur çadra në Teqenë e Kulmakut, kryer kurbane dhe ngjitur majën e malit, 2416 m mbi nivelin e detit.
Tradita e nisur nga barinjtë e Skraparit vazhdon sot me mikpritjen ndaj pelegrinëve. Teqeja është përgatitur me infrastrukturën e nevojshme, çadra, ndriçim, banjo dhe ujë të pijshëm. Ritet fetare zhvillohen pranë varrit të Abaz Aliut, ku njerëzit luten për shëndet, paqe dhe mirësi.
Baba Mondi theksoi përkushtimin për mbarëvajtjen e festës dhe bëri thirrje për dashuri, paqe dhe kujdes ndaj natyrës, duke nënvizuar se janë hapur vende të posaçme për pjekjen e mishit për të shmangur zjarret.
“Kemi pasur me qindra e mijëra besimtarë,të cilët kanë ardhur,i janë lutur zotit,kanë bërë kurbanet e tyre dhe unë i falenderoj dhe i bekoj të gjithë ata që kanë ardhur këtu në mal.Jemi kundra dhunës,kundra terrorrizmit,kundra gjithçkaje të keqe që nuk i shërben njeriut”
Për sigurinë dhe organizimin, DVP Berat ka angazhuar 100 forca policie dhe një plan të detajuar në bashkëpunim me bashkitë e zonës. Mjekë, ambulanca dhe zjarrfikëse janë gjithashtu në gatishmëri. Festa kulmon më 22 gusht dhe përfundon më 25 gusht.