Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Greçalli, në Fier, ku një fëmijë 8 vjeç është rrëmbyer dhe gjetur më pas i pajetë.
Dyshohet se fëmija 8 vjeç është rrëmbyer nga fqinji paraditen e sotme.
Mësohet se autori e mbajti për disa orë në banesë dhe më pas e ka mbuluar me baltë në oborrin e banesës. Policia ka bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar dhe arrestimin e 38-vjeçarit Klodian Çalamani.
“Sot rreth orës 15:30 është bërë njoftim nga shtetasja F. V se nuk është kthyer në banesë djali i saj i vitlindjes 2013.
Me marrjen e njoftimit shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim të provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur.
Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit K. Ç., 38 vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë.
Menjëherë është bërë kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar në Komisariatin e Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po punohet për kryerjen e veprimeve të plota procedurale, zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe motiveve të saj”-njofton policia.