Në 19 dhjetor 2024 treguam, sesi në shkollën 9 vjecare “Xhelal Shtufi” në Shkafanë të Durrësit, drejtoresha Elena Durmishi mbante peng pozicionin, megjithëse ka rezultuar 3 herë mbetëse në provimin për licensen në shkollën e drejtorëve. Ndërsa në shkollën e mesme të bashkuar, “Rexhep Mezini” në Ishëm, drejtori emëron nëndrejtoreshën pa konkurs. Rikthehemi pas 4 muajsh dhe situata nuk ka ndryshuar, madje është përkeqësuar. Mësuesja mbetëse vazhdon në shkollë, në pozicion drejtues. Drejtori Altin Dervishaj, thotë, që nuk e ka bërë procedurën e zgjedhjes, pasi ra numri i nxënësve në janar dhe do e paguajë si nëndrejtoreshë. Në Drap Durrës specialisti Redi Biturku, na tha, që drejtori do të kalojë në komision disipline për veprimet në shkollë. Ne iu drejtuam shkollës së drejtorëve, ku na sqaruan, se ata, që ngelin në 3 raunde kanë edhe një mundësi të fundit, që të ndjekin të gjithë ciklin 1 vjecar.
