Nga sot nis zbatimi i marrëveshjes me Italinë për pensionet, Rama: Lehtësi e madhe për mijëra qytetarë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me nisjen e zbatimit të marrëveshjes me Italinë për pensionet.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se kjo marrëveshje do të sjellë një lehtësi të madhe për mijëra qytetarë shqiptarë

“Nga sot nisi zbatimi i plotë i marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e kontributeve shoqërore, duke sjellë një lehtësi të madhe të mijëra qytetarëve shqiptarë, po edhe të mijëra italianëve që kanë punuar në të dy vendet, të cilëve u njihet plotësisht çdo vit pensioni jashtë atdheut. Nderim dhe respekt për mundin e kontributin e tyre”, shkruan Rama.

Ndërkohë kujtojmë se prej sot, 1 korrik, ka nisur zbatimi i plotë i marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e Sigurimeve Shoqërore, për njohjen reciproke të pensioneve.

Një nga risitë më të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje është bashkimi i viteve të punës. Pra, për të gjithë ata që nuk i plotësojnë individualisht kushtet minimale për pensionim në njërin nga vendet, 20 vite në Itali dhe 15 vite në Shqipëri, ekziston tani mundësia që vitet e kontributeve të mbledhura në të dy vendet të merren në konsideratë si një total i vetëm.

Kjo do të thotë se edhe ata që deri më sot nuk kishin të drejtë për pension për shkak të viteve të pamjaftueshme, tashmë mund të përfitojnë.

Referuar autoriteteve italiane, kostoja për mbulimin e pensioneve për shqiptarët që do të përfitojnë në Itali gjatë vitit 2025 llogaritet në rreth 51.6 milionë euro.

Të Fundit