Drejtori i ri i Portit të Durrësit Liburn Aliu, i cili zëvendëson Kreshnik Bajraktarin, vjen nga Kosova pasi drejtoi atje ministrinë Mjedisit dhe Infrastrukturës. Ai njihet si figurë me peshë në Kosovë, i cili hyri në parlament pasi kishte më hërët kishte drejtuar edhe institucione më të rëndësishme të vendit.
I lindur në Prishtinë, Liburn Aliu u diplomua për arkitekturë dhe për shumë vite ka qenë aktiv në fushën e planifikimit urban dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Para përfshirjes në politikë, ai ka punuar si arkitekt dhe ekspert i planifikimit hapësinor, duke kontribuar në projekte që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm të hapësirave urbane.
Aliu u bë i njohur përmes aktivizmit në Lëvizjen Vetëvendosje, ku spikati për qëndrimet e tij në ruajtjen e mjedisit dhe respektit ndaj trashëgimisë arkitektonike të vendit.
Përkrahësit e tij e vlerësojnë si një profesionist me vizion afatgjatë për zhvillimin urban dhe infrastrukturor të Kosovës, ndërsa kritikët e konsiderojnë shpesh si figurë të fortë ideologjikisht.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, Liburn Aliu fitoi mandatin si deputet i Kuvendit të Kosovës, ku u angazhua në çështje që lidhen me urbanizmin, planifikimin hapësinor dhe mjedisin. Me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes në vitin 2021, ai u emërua ministër, post të cilin e mbajti derisa iu besua drejtimi i Portit të Durrësit.



