Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama prezantoi një nismë të re ligjore për statusin “Fëmijë nën kujdesin e Republikës”, duke sqaruar gjithçka përfitojnë fëmijët, që kanë humbur prindin e tyre në krye të detyrës.
Në fillim të fjalës së tij, Rama u shpreh se nga janari i vitit 2022 do dyfishohet ndihma ekonomike për të gjitha nënat me tre a më shumë fëmijë, për vajzat dhe gratë e dhunuara, si dhe për fëmijët jetimë.
Ndërsa duke u ndalur te statusi “Fëmijë nën kujdesin e Republikës”, kryeministri renditi të gjitha gjërat që këta fëmijë do të përfitojnë nga shteti deri në moshën 18-vjeçare, apo deri në moshën 25-vjeçare, në rastin kur ata ndjekin arsimin e lartë.
“Ndjehem mirë që në seancën e fundit të parlamentit për këtë vit dhe në prag të festave të fundvitit ne mund t’i përcjellim si fakte dhe jo më si qëllime të mira disa ndryshime të rëndësishme të realizuara së fundi në këtë Kuvend, si dhe një tjetër ndryshim shumë të rëndësishëm që do të realizojmë sot me votën e këtij Kuvendi. Duke nisur nga janari të gjitha nënat me tre e më shumë fëmijë në skemën e ndihmës ekonomike do të përfitojnë dyfishin e ndihmës, ashtu sikundër do përfitojnë dyfishin e ndihmës të gjitha vajzat e gratë e dhunuara apo të trafikuara, të gjitha nënat me fëmijë me aftësi ndryshe dhe po ashtu edhe jetimët.
Por, këtyre sot u shtohet edhe një kategori tjetër, përmes nismës së re ligjore për statusin fëmijë nën kujdesin e republikës. Një nismë që reflekton vizion, që mishëron një ambicie dhe që faktikisht materializon një qasje të vazhdueshme të kësaj shumice qeverisëse në raport me ata që ndjehen më të dobët, sepse u përkasin kategorive më vurnerabël. Me votën e sotme Kuvendi do të përcaktojë një status të ri për të gjithë fëmijët, apo personat, nën kujdestari, të dëshmorëve të atdheut, të mjekëve e infermierëve që kanë humbur jetën si rezultat i pandemisë në krye të detyrës, të personave që kanë humbur jetën në përpjekje për të mbrojtur pronën publike apo për të mbrojtur e shpëtuar jetën e individëve të tjerë, të atyre që kanë humbur jetën si pasojë e gjendjes së jashtëzakonshme. Shteti merr në mbrojtje e përkujdesje të veçantë të gjithë fëmijët e të gjithë këtyre kategorive prindërish për t’iu lehtësuar përballimin e një vijimësie jete në kushtet e humbjes së prindërit apo të kujdestarit ligjor.
Statusi “Fëmijë në kujdesin e Republikës” përfitohet deri në moshën 18 vjeç dhe i siguron fëmijës një kujdes të veçantë deri në moshën 25 vjeç, nëse ndjek arsimin e lartë. Përfitimi llogaritet në bazë të pagës mujore më të lartë të prindit, në masën 100%. Do ishte mirë që atë që bëjmë sot ta kishim bërë më parë, por thelbi është se gjithçka varet nga mundësitë. Përpjekja për të rritur mundësitë që të mund të rrisim mbështetjen të atyre në nevojë, por dhe të atyre që kanë nevojë për paga e pensione më të larta, është një përpjekje e cila vazhdon dhe një përpjekje që nuk mund të zëvendësohet kurrsesi nga dëshirat e mira. Përmes rritjes së mundësive, rritet edhe mbështetja.
Përveç mbështetjen financiare të këtyre fëmijëve jetim prindërish, që kanë humbur jetën në krye të detyrës, sot është shteti që ju gjendet në aspektin e mbështetjes materiale, njësoj si të ishte prindi në punë, teksa gëzonte pagën më të lartë, janë dhe një sërë të drejtash të tjera, që nga shërbimi falas shëndetësor e spitalor, jo vetëm në institucionet publike, por edhe në institucionet jopublike, kur është e nevojshme, brenda apo jashtë vendit, në sistemin arsimor parauniversitar këta fëmijë përfitojnë trajtim financiar, me bursa apo pagesa, ata përfitojnë edhe një përjashtim tërësor nga tarifat vjetore të arsimit, kur fitojnë të drejtën e ndjekjes së arsimit të lartë; po ashtu këta fëmijë përfitojnë një asistencë profesionale falas, sipas kërkesës së tyre në fund të çdo cikli arsimor; personi që merr statusin “Fëmijë nën kujdesin e Republikës” ka një sërë të drejtash të tjera dhe përtej këtyre të drejtave e përtej çdo aftësia të veçantë, ai vazhdon merr deri në moshën madhore apo deri kur përfundon studimet e larta, trajtimin financiar në bazë të pagës së prindit, në atë fazë që paga e prindit ishte më e larta”, tha Rama.
(BalkanWeb)