Nga 15 Nëntori hidhen në qarkullim 100 Lekëshat e rinj, çfarë ndryshon

Banka e Shqipërisë njofton publikun se duke filluar nga data 15 nëntor 2024 do të hidhen në qarkullim monedhat metalike shqiptare me vlerë nominale 100 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2023.

“Rishtypja e monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor, me vlerë nominale 100 Lekë, është miratuar me vendimin nr. 02, datë 18.01.2023, të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në mbështetje të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, njoftoi Banka e Shqipërisë.

Monedhat metalike, me vlerë nominale 100 Lekë, emetim i vitit 2023, kanë të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë me emetimin e fundit të kësaj prerjeje.

Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron tek viti i emetimit i shtypur në trupin e monedhës metalike, i cili në monedhat e reja do të jetë “2023” si dhe tek drejtshkrimi i fjalëve “Lekë”, “Mbretëresha” dhe “Shqipërisë”.

Duke filluar nga data 15 nëntor 2024, monedhat metalike me vlerë nominale 100 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2023, do të përdoren si mjet pagese paralelisht me të gjitha monedhat metalike ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, emetime të viteve të mëparshme.

Të Fundit