Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u dërgoi një mesazh të prerë banorëve të Gazës të hënën pasdite, duke i paralajmëruar për një ofensivë të afërt tokësore në Qytetin e Gazës.
“U them banorëve të Gazës, shfrytëzoj këtë mundësi dhe më dëgjoni me kujdes: Ju jeni paralajmëruar. Largohuni që andej”, u shpreh Netanyahu në një deklaratë të regjistruar nga dhoma e operacioneve të Forcave Ajrore Izraelite në Tel Aviv.
Ai bëri të ditur se në dy ditët e fundit, ushtria izraelite ka shkatërruar 50 kulla të cilësuara si “kulla terroriste”, duke e quajtur këtë vetëm “një prelud” të një operacioni më të gjerë për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës.
“Ju premtova disa ditë më parë se do të shkatërronim kullat e terrorit të Gazës. Pikërisht këtë po bëjmë. Në dy ditët e fundit, 50 prej këtyre kullave kanë rënë. Forcat ajrore i kanë rrëzuar”, deklaroi Netanyahu.
Ai shtoi se ushtria po përgatitet për një manovër tokësore intensive dhe se operacioni do të fokusohet në eliminimin e të gjitha “foleve të terrorit”.
“Ky është vetëm fillimi”, përfundoi Netanyahu, ndërsa trupat izraelite thuhet se po përqendrohen në zonat përreth Qytetit të Gazës në pritje të urdhrit për ofensivën.