Edmond Hyka, i njohur si Mond Mëhalla, ka rezultuar i hetuar nga Prokuroria dhe Policia e Elbasanit për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, pasi më herët ishte proceduar dhe arrestuar nga autoritetet e një shteti të huaj si i dyshuar për trafik droge.
Dosja është trajtuar nga prokurorja Edlira Bako, e cila pas gati tre viteve hetime nuk ka mundur të provojë me prova të mjaftueshme akuzën e pastrimit të parave, duke dërguar çështjen në Gjykatën e Elbasanit me kërkesë për pushim.
Rasti është ndjekur më tej në fazën gjyqësore nga gjyqtari Elis Dine, ndërsa ende nuk ka një vendim zyrtar të bërë publik për hetimin financiar ndaj Mond Mëhallës.
Mëhalla ishte pronar i “Hollywood Lounge Bar”, zotëronte pikën e karburantit “Xhaxhi Oil”, në oborrin e së cilës u vra, si dhe kompaninë e transportit dhe taksive “EL-Taxi”.
Edmond Hyka i njohur edhe si Mond Mëhalla u vra në një atentat me armë zjarri mbrëmjen e së dielës. 43-vjeçari u qëllua me dy plumba në kokë ndërsa ndodhej në makinë pranë biznesit të tij.
Të paktën 10 persona janë shoqëruar dhe po merren në pyetje për të hedhur dritë mbi rrethanat e krimit. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht për këqyrjen e pamjeve filmike të zonës dhe mbledhjen e provave të tjera materiale.
Hetimet vijojnë në disa pista paralelisht, ndërsa operacioni policor në terren mbetet në zhvillim. Autorët e atentatit mbeten ende të paidentifikuar.



