Në lagjen e re të Rrogozhinës, u takuam me Ramazan Aliun, i cili pas më shumë se 30 vitesh rrezikon të mbetet pa banesë.Në vitin 1994, për shtëpinë ku jeton aktualisht, Ramazan Aliu zhvilloi një proces gjyqësor për vërtetim fakti, ku në vendimin e gjykatës, ishte shënuar edhe e drejta për regjistrim hipotekor. Megjithatë, Ramazani nuk ndërmori asnjë veprim për certifikimin e banesës, duke u mjaftuar vetëm me vendimin e vitit 1994. Në vitin 2022, vëllai i tij, Hasan Aliu, e paditi Ramazanin në gjykatë për përpjestim pasurie. Sipas Ramazanit, në një komunikim mes tyre, Hasani i ka deklaruar, se tashmë gjithçka ishte në emër të tij, pasi ishte pajisur me certifikata pronësie.Emisioni “Stop” u interesua pranë ASHK-së për të kuptuar se si përfundoi banesa në emër të Hasan Aliut. Sipas ASHK-së, regjistrimi fillestar i pasurisë dhe hapja e kartelës janë bërë në vitin 2005 në emër të Gani Aliut, babait të familjes, bazuar në listat e trojeve. Pas ndarjes nga jeta të Gani Aliut, fëmijët, vëllezër e motra, kanë dhuruar pjesët e tyre takuese në favor të Hasan Aliut.Me Hasan Aliun nuk u arrit të sigurohej një komunikim, por vëllai tjetër, Izeti tha, se shtëpia poshtë është vetëm e Hasanit. Sipas tij, atij, që ka mbajtur prindërit, i takon edhe pjesa e tyre.



