Në krye të opozitës greke, një lider homoseksual

Syriza do të ketë një lider të ri, pas epokës së lavdishme të Aleksis Tsipras. Nga gara e brendshme mes 4 kandidatëve në partinë më të madhe të së majtës greke, ka dalë fitues Stefanos Kasselakis, një “i huaj” për politikën helene, për shkak të mungesës së përvojës në poste drejtuese.

Sipërmarrësi greko-amerikan, i cili shpalli kandidaturën e tij për postin katër javë më parë, fitoi 56.69% të votave kundrejt 43.31% që mori Efi Achtsioglou, ish-ministrja e punës në qeverinë e Tsipras, që ishte konsideruar prej kohësh si e preferuara e mbështetësve të Syriza.

Rreth 133,600 votues votuan në rreth 537 qendra votimi në mbarë Greqinë, ndërsa nga Syriza e përshkruan pjesëmarrjen si mbresëlënëse dhe treguese të dëshirës për të parë një parti opozitare të rigjallëruar dhe të fortë përball qeverisë së Mitsotakis.

Fitorja në këtë garë e biznesmenit u përshkrua si mahnitëse dhe e paprecedentë, por e bën Kasselakis tani një nga njerëzit më të fuqishëm në Greqi,

Mes skenave ngazëllyese jashtë selisë së Syriza në Athinë, 35-vjeçari u tha mbështetësve: “Sot fitoi shpresa kolektive, shpresa për të ardhmen… Unë nuk jam një fenomen. Unë jam zëri i një shoqërie dhe nuk do t’ju zhgënjej. Nesër fillon puna më e vështirë”.

Kasselakis, i cili nuk dihet të ketë pasur ndonjë lidhje me Syrizën para këtij viti, u transferua në Athinë vetëm disa muaj më parë, duke u vendosur në kryeqytet me bashkëshortin e tij amerikan Tyler McBeth.

Ai e thirri bashkëshortin teksa i drejtohej turmës, duke falënderuar grekët që e pranuan në gjirin e tyre.

“Faleminderit nga thellësia e zemrës që e mirëpritët dhe e përqafuat”, tha lideri i ri i Syriza duke buzëqeshur ndërsa mbështetësit bërtisnin “Stefanos ndryshon gjithçka”.

Marrja e drejtimit të partisë nga Kasselakis vjen pas humbjes së dyfishtë të Syriza në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në maj dhe qershor.

Ish-kryeministri Aleksis Tsipras, që drejtoi vendin gjatë reformave të vështira ekonomike, nga viti 2015 deri në vitin 2019, mbajti një qëndrim “neutral”, duke refuzuar të mbështeste ndonjërin prej kandidatëve pas fitores surprizuese të Kasselakis në raundin e parë javën e kaluar.

Greko-amerikani ka sinjalizuar se do të zbatojë ndryshime rrënjësore në Syriza, një aleancë progresive që përfshin marksistët, eurokomunistët, ekologët dhe socialdemokratët. Ai ka deklaruar se nëse partia dëshiron të shijojë sërish pushtetin, duhet “thjesht të kopjojë formulën e SHBA-së sa më shpejt të jetë e mundur” duke u shndërruar në një “çadër të madhe”, parti demokratike e stilit amerikan.

Ndër prioritetet e politikave të propozuara nga biznesmeni janë lehtësimi drastik i taksave për punonjësit e sektorit privat dhe publik, ndarja e kishës nga shteti, reformat në drejtësi, shtetësia për fëmijët emigrantë të lindur dhe rritur në Greqi dhe legalizimi i martesave të të njëjtit seks.

Pas fitores së tij, Stelios Kouloglou, një eurodeputet i Syriza-s tha për Guardian se “ky është fundi i Syrizës së majtë siç ne e njohim”.“

“Ajo parti vdiq sonte. Kasselakis do të bëjë ndryshime të mëdha dhe në të ardhmen do të kryhen studime për fitoren e tij, sepse ajo që ai ka arritur është kaq mahnitëse. Ai u shfaq pothuajse nga askundi dhe tani është në krye. Është një çmenduri, një skenar që askush nuk do ta kishte besuar disa muaj më parë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, të majtët tradicionalë në parti sipas Kouloglou janë në “shok të plotë”.

Të Fundit