Pas artikullit ku u publikuan përgjimet që lidhnin ekzekutimin e trafikantit Ruben Cherres me një borxh miliona dollarësh që ky i fundit u kishte shqiptarëve në Ekuador, mediat vendase i kanë kushtuar një shkrim edhe Dritan Gjikës, shkodranit që dyshohet kryeson rrjetin e kokainës dhe që përmendej si ortak i Cherres.
Dritan Gjika, i identifikuar si “Tony” në zbardhjen e bisedave të përgjuara, në ortakëri me Ruben Cherres kishte një numër të madh kompanish në shtetin e Amerikës Latine.
Kompania shqiptare i kaloi një personi të tretë të hetuar për krim të organizuar
47-vjeçari shqiptar vazhdon të lëvizë në sektorin e biznesit ekuadorian. Më pak se një vit më parë, më 10 tetor 2023, siç raportohet nga Ecuavisa, Gjika themeloi një kompani të re me bazë në ndërtesën e The Point, në Puerto Santa Ana, Guayaquil: Riomel Gold Corporation CIA. LTDA. Aktiviteti i saj ekonomik fokusohet në nxjerrjen dhe pastrimin e metaleve të çmuara si ari, argjendi etj.
Më 23 shkurt 2024, një lëvizje e re u regjistrua në një tjetër kompani të saj, Agricomtrade SA .
Sipas të dhënave të Portalit të Mbikëqyrjes së Kompanive, ajo vazhdon të jetë aktive dhe është e vendosur në ndërtesën Sky, që ndodhet në Avenida de las Américas në Guayaquil. Kompania është e lidhur me aktivitete të tilla si bujqësia, blegtoria, gjuetia dhe kultivimi i orizit.
Që prej korrikut 2018, Gjika figuronte si aksioner së bashku me Bryan Alexis Lalangui Pillasagua, 27 vjeç. Megjithatë, në 23 shkurt të këtij viti, shqiptari ia transferoi të gjitha aksionet partnerit të tij për vetëm 1 mijë dollarë, duke e bërë Lalanguin pronarin e vetëm aktual.
Kjo ndodhi pavarësisht një vendimi gjyqësor të lëshuar më 7 shkurt 2024 që urdhëroi ngrirjen dhe ndalimin e përkohshëm të transferimit, konvertimit, tjetërsimit ose lëvizjes së fondeve, aseteve, investimeve në favor të Lalangui. Aktualisht ai ndodhet në paraburgim për veprën e dyshuar të pastrimit të parave.