Në arrati prej 20 vitesh, mafiozi arrestohet falë Google Maps

Një pjesëtar i Mafias në arrati, i bindur që ia kishte hedhur ligjit, pasi qëndronte në arrati prej 20 vitesh, u kap nga policët italianë me ndihmën e Google Maps.

Gioacchino Gammino ishte larguar nga Italia pas arratisjes nga burgu dhe bënte një jetë të qetë në Spanjë, ku kishte ndryshuar emrin, kishte gjetur punë si kuzhinier dhe kishte hapur edhe një dyqan fruta-perimesh.

Por policia italiane arriti ta pikaste në një foto në Google Maps, ku dukej një burrë i moshuar jashtë një dyqani në qytezën Galapagar, në veri të Madridit. Dyqani quhej “El Huerto de Manu” – Kopshti i Manus. Në Spanjë, Gammino kishte ndryshuar emrin nga Gioacchino në Manuel.

Dyshimet se ai ishte personi që po kërkonin u konfirmuan kur hetuesit zbuluan një restorant aty pranë të quajtur “La Cocina de Manu” – Kuzhina e Manus. Në faqen në Facebook të restorantit, që ishte mbyllur prej disa kohësh, dukej Gammino me veshje kuzhinieri. Ata e njohën 60-vjeçarin për shkak të një shenje në mjekër. Në menynë e restorantit kishte të shënuar dhe një specialitet, si “darka siçiliane”.

Gammino u arrestua më 17 dhjetor, por lajmi u bë publik vetëm në ditët e para të vitit 2022. “Si më gjetët? As familjes sime nuk i kam telefonuar në 10 vitet e fundit”, raportohet t’u ketë thënë policëve Gammino pasi përfundoi në pranga.

Ai do të ekstradohet në Itali, ku do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm pasi është dënuar për vrasje. I listuar nga Ministria italiane e Brendshme, si një prej më të kërkuarve në vend, Gammino ishte shpallur fajtor për disa vepra të tjera përveç vrasjes, si trafiku i lëndëve narkotike dhe pjesëmarrja në organizatë mafioze. Ai ishte pjesë e klanit mafioz të Agrixhentos, të quajtur Stidda, një grup kriminal armiqësor me Cosa Nostra-n, të përfshirë në përleshje të përgjakshme në vitet 1990.

I arrestuar fillimisht në vitin 1984, Gammino ishte hetuar edhe nga prokurori i famshëm, tashmë i ndjerë, Giovanni Falcone. Gammino u dënua për vrasje në vitin 1995, por u arratis për t’u arrestuar sërish tre vite më vonë në Barcelonë. Në vitin 2002 arriti përsëri të largohej nga qelia duke u zhdukur për 20 vite.

Të Fundit